Spanjë : Fluturime të pezulluara dhe më tepër evakuime për shkak të aktivitetit vullkanik në ishullin La Palma

Zyrtarët në ishullin spanjoll La Palma kanë urdhëruar më tepër evakuime në ditën e gjashtë radhazi të shpërthimeve nga vullkani Cumbre Vieja. Fluturimet drejt dhe nga ishulli janë anuluar për shkak të hirit vullkanik. Shërbimet e emergjencës për Ishujt Kanarie urdhëruan evakuimin e dy qyteteve dhe një pjese të një qyteti të tretë, që ende nuk ishte evakuuar.

“Disa fluturime drejt dhe nga La Palma ditën e Premte pasdite u anuluan”, sipas faqes së internetit të operatorit të aeroportit të Spanjës, AENA. Linja ajrore Binter, që shërben për Ishujt Kanarie njoftoi në mediat sociale se kishte anuluar fluturimet në La Palma dhe në ishullin e afërt La Gomera për shkak të hirit vullkanik. Ishte dita e gjashtë radhazi e shpërthimeve vullkanike në La Palma, një nga ishujt më të vegjël në arkipelagun e Ishujve Kanarie të Spanjës, në Oqeanin Atlantik.

Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez qëndroi në ishull ditën e Premte në mëngjes, ku ai ka qenë pjesën më të madhe të javës, që kur filluan shpërthimet. Sanchez u bëri të ditur gazetarëve ditën e Premte se qeveria spanjolle ka miratuar “ndihmën e menjëhershme financiare për strehimin” e personave të zhvendosur.

Angel Victor Torres, president i Ishujve Kanarie njoftoi ditën e enjte se rreth 400 banesa dhe ndërtesa tashmë ishin shkatërruar nga llava, sipas raporteve në mediat spanjolle. Mbreti dhe Mbretëresha e Spanjës ditën e enjte udhëtuan nga Madridi në La Palma dhe takuan të evakuuarit, si dhe personelin e emergjencës.