Covid -19 : Shkencëtarët britanikë planifikojnë përzierjen e vaksinave

Shkencëtarët britanikë kanë nisur studimin e parë në botë duke ekzaminuar nëse vaksinat e ndryshme kundër koronavirusit mund të përdoren në mënyrë të sigurtë me dy doza.

"Pjesëmarrësve në studimin 13-mujor do t'u jepen vaksinat Oxford/AstraZeneca dhe Pfizer/BioNTech në kombinime të ndryshme dhe në intervale të ndryshme", theksoi Departamenti britanik i Shëndetësisë dhe Kujdesit Social në një njoftim për shtyp.

Regjistrimi në studimin e financuar nga qeveria britanike është aktualisht duke u zhvilluar dhe rezultatet paraprake priten të dalin gjatë verës.

Doza aktuale e vaksinave për publikun e gjerë do të mbetet e pandryshuar në Britaninë e Madhe. Por nëse studimi arrin rezultate premtuese, qeveria mund të konsiderojë rishikimin e dozave të rekomanduara të vaksinave.

Studimi gjithashtu do të kërkojë të përcaktojë nëse vaksinimi është më efikas me një kohëzgjatje prej katër-javësh ose 12-javësh mes dy dozave. Më tepër se 800 persona pritet të marrin pjesë në këtë studim dhe do të fillojnë të marrin dozat duke filluar nga mesi i muajit shkurt.

Etiketim

Covid-19